Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Shqipërisë mesditën e 11 majit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka bërë të ditur për miratimin e kontratës koncensionare me partneritetin publik rreth provave për projektin e portit të integruar në ”Triportin e Vlorës”.
”Do të jetë porti më i ri modern, pasi sot ka vetëm shërbimet e peshkimit”, tha Balluku në një komunikatë për media, duke theksuar se ky projekt do të vihet në zbatim pas zbardhjes në Fletoren Zyrtare.
Në mbledhjen e kësaj dite, Balluku bëri të ditur se janë miratuar një sërë projektvendimesh sa i përket dikasterit që ajo drejton.
Njëri nga projektvendimet ishte miratimi i marrëveshjes ndryshuese të huasë, për sa i përket programit “Energji ujore dhe siguria në kaskadën e Drinit”.
Sipas saj, ky hidrocentral ka nevojë emergjente për rehabilitim për gjendjen teknike të portave të mirëmbajtjes.
”Kaskada e Drinit është gjeneruesi kryesor i energjisë deri në momentin kur të përfundojë kaskada e Skavicës. Kjo e fundit do të bëjë rregullatorin e Drinit”, u shpreh Balluku.
Pas mbledhjes së këtij Këshilli, edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi në një konferencë për media bëri me dije se kodifikimi i programeve të studimit ishte një nga vendimet e qeverisë.
Ajo tha se ky është një detyrim që rrjedh nga ligji për arsimin e lartë dhe ofron lehtësira, për personat që duan të ndryshojnë degë studimi ose dhe ata që janë në degë të ngjashme.
”Miratuam vendimin për kodifikimin e programeve të studimit. Kodifikimi nënkupton organizimin e programeve të studimit në kode që identifikojnë fusha të ngjashme. Është një detyrim që rrjedh nga ligji për arsimin e lartë. Sipas ligjit, të gjitha programet e studimit që ofrohen në fusha të ngjashme në të njëjtin cikël duhet të jenë të ngjashme, së paku në 70% të tyre. Kjo i vjen në ndihmë institucioneve, duke filluar nga vetë universitetet”, tha Kushi.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit theksoi se së fundmi përfitojnë studentët, sepse do të jenë më të qartë kur bëjnë transferimin e shërbimeve nga një universitet apo një tjetër.
”Kodifikimin e kemi konsultuar me detaje me universitetet dhe i jemi referuar sistemit ndërkombëtar për kodifikimin e programeve. Besoj që vendimi i sotëm është një tjetër hap për përmirësimin e cilësisë së universiteteve tona”, ka përfunduar Kushi.