Rreth 145 milionë euro vlerësohet t’ia ketë shpëtuar shtetit të Kosovës, avokatura shtetërore.
Këtë shifër e ka publikuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se synojnë ta forcojnë këtë organ shtetëror.
Megjithatë, me projektligjin e votuar në qeveri për përfaqësimin e Kosovës në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, avokati Yll Zekaj vlerëson se avokatura shtetërore rrezikon të bëhet politike.
“Tanimë avokatët shtetëror do të jenë të emëruar politik. Pra, sipas këtij projektligji, avokatët shtetëror do të emërohen dhe do të shkarkohen drejtpërdrejtë nga ministri i Drejtësisë dhe kjo lë dyshime që në këto pozita, si tani apo edhe në të ardhmen do të kemi persona të cilët do të jenë në lidhje të afërta me politikën”, ka thënë Zekaj.
E përveç këtij projektligji, ish-avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Sami Istrefi, thotë se qeveria duhet t’i plotësoj edhe disa ligje të tjera.
“Janë edhe disa mekanizma të tjerë të cilat duhet të përgatiten, siç është Ligji për Investime të Huaja. Ky ligj duhet të plotësohet dhe të ndryshohet për faktin se çdo kush i cili ka pasaportë të huaj, mund ta padis Kosovën në arbitrazh ndërkombëtar”, ka thënë Istrefi.
Me projektligjin e ri, Kosova duhet t’i ketë jo më pak se dhjetë avokatë shtetëror.
Istrefi, që ka drejtuar këtë avokaturë, thotë se edhe pagat janë një problematikë tjetër.
“Duke pasur parasysh edhe njerëzit që angazhohen aty, cilat janë kushtet në të cilat ata do të punojnë. Në qoftëse i shohim pagat, janë pagat e ulëta. Prandaj, të mbrohet një arbitrazh ndërkombëtar që mund të ketë një padi rreth 10, 20, 50, apo 100 milionë, me një pagë 700-800 euro është e pamundur që të shkojnë ekspertë, apo që të jetë një ekspertizë e fortë aty”, ka shtuar Istrefi.
Projektligji synon edhe rregullimin e statusit ligjor të avokatit të komunës, i cili do t’i trajtoj rastet kur kontesti komunal është në nivelin e shumës deri në 200 mijë euro.