Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me drejtorin e Departamentit të Kufirit, Ragip Bunjaku, vizituan tre policët e Policisë Kufitare të PK-së, të cilët ishin kidnapuar nga forcat e armatosura serbe më 14 qershor.
Në vizitën e tyre, Hoxha shprehu gëzimin e tij për lirimin e tre policëve të Policisë Kufitare të PK-së, të cilët ishin rrëmbyer nga forcat serbe në territorin e Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Hoxha shprehu mirënjohjen e tij ndaj tyre dhe i inkurajoi ata për besimin e treguar gjatë periudhës së rrëmbimit.
Ai gjithashtu falënderoi policët për punën dhe angazhimin e tyre në luftën kundër kontrabandës dhe krimeve ndërkufitare.
Drejtori Hoxha uroi familjet e policëve të rrëmbyer, që festën e Kurban Bajramit e pritën së bashku me më të dashurit e tyre.
Në këtë vizitë, drejtori i përgjithshëm, së bashku me menaxhmentin e PK-së, ofruan mbështetjen dhe përkrahjen morale për tre policët.
Ata shpresojnë që ata të rikthehen në detyrën e tyre policore sa më shpejt dhe të vazhdojnë angazhimin e tyre në të mirë të vendit dhe qytetarëve pa dallim.
Siç ka njoftuar Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate, tre policët tashmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë kthyer te familjet e tyre, kolegët dhe institucionet e Kosovës.