Të paktën 667 persona janë arrestuar pas natës së tretë të protestave në Francë.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin.
“Mbrëmë policia dhe zjarrfikësit tanë u përballën me guxim, me dhunë të rrallë. Në përputhje me udhëzimet e mia, ata bënë 667 arrestime”, ka shkruar ai.
Trazirat nisën pasi një oficer policie qëlloi një shofer 17-vjeçar, i cili refuzoi të ndalonte për një kontroll trafiku në periferi të Parisit, Nanterre, të martën.
Siç raporton BBC, shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje, por Nahel, shoferi, vdiq pak më pas.
Një video u publikua në mediat sociale pak më vonë përmes agjencisë së lajmeve AFP, ku shiheshin dy oficerë policie duke u përpjekur të ndalonin automjetin dhe njëri duke drejtuar armën drejt shoferit.
Trazirat u zhvilluan për të tretën natë në të gjithë Francën dhe në Nanterre, ku Nahel u qëllua.
Nawl M është personi i dytë këtë vit në Francë që vritet nga të shtënat e policisë gjatë ndalimit të trafikut. Vitin e kaluar, një rekord prej 13 personash vdiqën në këtë mënyrë.
Autoritetet kanë hapur dy hetime të veçanta pas vdekjes së adoleshentit – një për një vrasje të mundshme nga një zyrtar publik dhe një tjetër për dështimin e shoferit për të ndaluar automjetin e tij dhe tentativën e supozuar për të vrarë një oficer policie.