Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës ka zhvilluar një aksion në tri rajone të ndara, në Prishtinë, Prizren dhe Pejë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e ka konfirmuar lajmin për Dukagjinin dhe ka bërë të ditur se nga ky aksion janë arrestuar tre persona për shkak të dyshimeve që kanë të bëjnë me kurdisje ndeshjesh.
“Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike, ka realizuar dy operacione të ndara në tri rajone si në Prishtinë, Prizren dhe Pejë. Operacionet policore deri më tani kanë rezultuar me shoqërimin e tre personave të dyshuar. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka thënë Kelani në një përgjigje me shkrim për Dukagjinin.
Dy prej personave të përfshirë në arrestime raportohen të jenë Daut Mehmeti, gjyqtar i supspenduar nga FIBA dhe trajneri i basketbollit kosovar, Arbnor Rifati.
Pas përfundimit të operacioneve, zëdhënësi i Policisë, Kelani ka thënë se do të bëhen të ditura edhe informacionet shtesë.
Para dy javësh, gjyqtari kosovar i basketbollit, Mehmeti ishte përjashtuar nga FIBA për shkeljen e Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore të Basketbollit.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me trajnerin nga Prizreni, i cili u përjashtua për gjashtë muaj.