Gjermania për shpalljen e dy organizatave në veri si terroriste: Vendim i pakoordinuar me ne

Pas ShBA-së, edhe Gjermania ka bërë të ditur se vendimi për shpalljen e dy formacioneve ilegale serbe si organizata terroriste nga qeveria e Kosovës është bërë pa koordinim me qeverinë gjermane

Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, ka thënë për Portalin Dukagjini se vendimi është marrë pa koordinim me Gjermaninë dhe se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

Në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë thuhet se as Ambasada nuk është informuar paraprakisht për këtë veprim të qeverisë.

“Vendimi as nuk ishte i koordinuar me Gjermaninë dhe as Qeveria gjermane nuk ishte e njoftuar paraprakisht nga autoritetet kosovare për këtë veprim”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Tutje thuhet se duke pasur parasysh krizën aktuale në komunat veriore, “një koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”.

“Është e rëndësishme të theksohet se çdo vendim i këtij lloji duhet t’i respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, thuhet tutje.

Ky deklarim i Gjermanisë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) potencuan se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Washingtonin sa i përket këtij vendimi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 29 qershor i shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha gjatë arsyetimit të vendimit se këto dy organizata, që veprojnë në veri, paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”

Sipas Kurtit, këto dy organizata kanë kryer veprime “me elemente terroriste”, si: sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX dhe ushtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi.

Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore.

Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Këto tensione nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika