Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin e sotëm ku janë arrestuar tre persona në kuadër të krimeve ekonomike.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka realizuar dy operacione policore, në dy raste të veçanta, në Pejë dhe në Prishtinë e Prizren.
Sipas njoftimit, në Pejë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë, pas një pune intensive operative dhe hetimore që ka zgjatur rreth një vit, hetuesit policorë kanë siguruar dëshmi se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘marrja e ryshfetit’.
“Sot, më 30.06.2023, është zbatuar urdhri i lëshuar nga Gjykata Themelore Pejë, ku është kontrolluar prona e të dyshuarit Sh.G., (mbikëqyrës në Qendrën Korrektuese Dubravë). Ai dyshohet se në katër raste ka marrë ryshfet (1880 euro), në këmbim të ofrimit të disa favoreve ndaj të burgosurve. Pas përfundimit të kontrollit i dyshuari është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kompetent të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa në rastin e dytë, thuhet se : Sektori i Hetimeve Financiare i DHKEK, më 30.06.2023 ka zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll në dy lokacione të ndara, njëra në Prishtinë dhe tjetra në Prizren. Urdhër-kontrolli është zhvilluar me qëllim të sigurimit të dëshmive shtesë dhe arrestimin e dy të dyshuarve në lidhje me veprën penale ‘kurdisje e ndeshjes ose sportit’.
“I dyshuari i parë (refer me licencë ndërkombëtare), dyshohet të ketë kurdisur ndeshjet basketbollistike në kuadër të Super ligës së Kosovës, Ligës Unike Kombëtare dhe Ligës Ballkanike, veprimet i ka kryer në bashkëveprim me të dyshuarin e dytë (trajner basketbolli)”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje thuhet se të dyshuarit i kanë kryer këto veprime me qëllim të përfitimit material. Po ashtu, i dyshuari i parë, ka bashkëvepruar edhe me refer dhe trajner ndërkombëtar në kurdisjen e lojërave basketbollistike, me qëllim të fitimit të basteve.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa fletëpagesa, katër telefona dhe dy shtëpiza të kompjuterit.
Të dyshuarve pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, u është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
Arrestohet Daut Mehmeti dhe trajneri Arbnor Rifati nën dyshimin për trukim ndeshjesh