Për gjendjen e mjerueshme të klubit ishin në dijeni. Që Vëllaznimi do ta kishte shumë të vështirë mbijetesën në Ligën e Parë edhe për këtë ishin në dijeni.
Por, kjo nuk i ndali që të marrin timonin e klubit.
Vetëm dy pikë i kishte Vëllaznimi në sezonin vjeshtor 2022/23. Dukej se po shkatërrohet një nga klubet më me traditë në Kosovë.
Futbollit në Kosovë i mungonte atmosfera e tifozëve gjakovar. E tifozëve ju mungonin rezultatet pozitive.
Gjithçka duket se po ndryshon te kuqezinjtë. Ardhja e kryesisë së re me në krye Gazmend Boshnjakun, me gjasë po e rikthen Vëllaznimin në piedestalin që e meriton.
Të premten, u arrit marrëveshja për fuzionim me KF Drenasin. Nga Liga e Dytë tani kuqezinjtë sërish do t’i shohim në Ligën e Parë. Ndoshta, në gushtin e 2024 edhe në Superligë.
Projekti i Boshnjakut me nënkryetarin Erzen Kumnova, drejtorin ekzekutiv Ilirian Zhubi, menaxherin e përgjithshëm Bujar Guci dhe drejtorin sportiv Edi Luzha duket se po funksionon në mënyrën më të mirë.
Javët në vijim priten përforcime të reja. Futbollistët e rinjë do të drejtohen nën urdhrat e trajnerit me perspektiv, Megzon Vizoka.