Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), Dardan Molliqaj, si jo rrallëherë ka shprehur kritikat e tij ndaj kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media, Molliqaj deklaroi se për situatën e tanishme zgjidhja mbetet largimi i Kurtit nga pushteti, situatë për të cilën la përgjegjës veprimet e njëpasnjëshme të Qeverisë Kurti.
“Ju e dini qëndrimin tonë. Për fatin e keq të Kosovës, ato një nga një po dalin të vërteta. Nuk është problem i ligjit dhe kontrabandës së veriut, aty ka kontrabandë dhe shkelje të ligjit, por është problem politik. Veprimet e njëpasnjëshme të Qeverisë së Kosovës e kanë degraduar situatën atje. Tani ju mund të shihni edhe sjelljen e Kosovës karshi faktorëve ndërkombëtarë, totalisht e papërgjegjshme me shumë efekte të dëmshme karshi Kosovës…çfarëdo tendence për ta shtuar kryeministrin Kurti për të mbetur në pushtet është keq për Kosovën, sepse paraqitja e Kurtit në këtë konferencë nënkupton shpëtimin e tij në pushtet. Unë mendoj që zgjidhja është krijimi i një mase kritike për largimin e Kurtit nga pushteti, sepse ai paraqet dy probleme. Ka pru marrëveshje të keqe e cila është pranuar në marrëveshjen bazë të Brukselit dhe të asaj në Ohër, dhe paraqet gjithashtu rrezik për demokracinë”, ka deklaruar ai.
Molliqaj pati kritika edhe për opozitën, për të cilën tha se po i shërben pushtetit.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, ky pushtet i ka shkëputur marrëdhëniet në të gjitha kategoritë shoqërore. As nuk e mbështet studentin, as pensionistin e po ashtu nuk ka shërbime të mira shëndetësore e as arsim cilësor. Lista është shumë e gjatë e ankesave, por sot nuk jemi të flasim për këtë. Çka neve na shqetëson tutje është veprimet e opozitës parlamentare që ne i cilësojmë si shërbim ndaj këtij pushteti, përkatësisht, Kosova mund të përkufizohet kështu: Pushtet i rrezikshëm popullist me karakteristika autoritare dhe pa opozitë fare”, ka deklaruar ai.
Molliqaj ka deklaruar se Kosovës i nevojitet një opozitë e cila nuk vepron bazuar në kërkesat e Qeverisë.
Molliqaj bëri të ditur se PSD-ja tashmë po formon Forumin Rinor të saj. Ai theksoi se PSD-ja nuk do ta përsëritë Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne jemi këtu për mos me e përsëritë Vetëvendosjen, jemi këtu për të ndërtuar diçka më autentike”, ka deklaruar ai.