Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rrustem Mustafa është ftuar për të dëshmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar vetë Mustafa.
“Po, e vërtetë është. Do të udhëtoj javën që vjen”, ka thënë ai.
Çështja ndaj ish-krerëve të UÇK-së përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje janë 140 viktima pjesëmarrëse.