Nga historitë e ndryshme të vetizolimeve gjatë kohës së pandemisë që vërshoi botën, Organizata Joqeveritare “ETEA” vendosi t’i dhurojë Kosovës një anë tjetër të Prishtinës.
Në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dukagjini”, puna dy vjeçare e “ETEA”-s u finalizua të premten e 15 prillit në Kino ARMATA.
“Rri n’shpi” ishte fillimisht fushatë nga Komuna e Prishtinës të cilën qytetarët e shfrytëzonin për një komunikim përmes formave të ndryshme dhe këtë, ETEA duket se donte të ja linte Kosovës kujtim.
Kështu, në kuadër të kësaj inciative u zhvillua edhe fushata “Shkruaji Prishtinës” në të cilën kishin mundësi përfshirje të gjithë qytetarët e Kosovës që kishin për të thënë diçka ndaj Prishtinës.
Një fushatë e tillë mirëpriti mbi 250 shkrimtarë, përfshirë edhe ata që për herë të parë publikonin një shkrim të tyrin. Këto shkrime kanë qenë të shpërndara në grupin “Rri n’shpi me neve”, prej të cilave tre shkrimet më të pëlqyera janë shpërblyer me një set librash nga Libraria “Dukagjini”.
“Ajo që e karakterizon këtë libër si tërësi është fakti se secili/a lexues/e, përfshirë vetëm time, do ta gjejë në një apo tjetër mënyrë vetën aty sepse jemi bashkëkohës dhe bashkëpërjetues të izolimit e pandemisë”, për Portali D ka thënë Agon Ahmeti, nga “ETEA”.
Pas qetësimit të pandemisë COVID-19, juria e përbërë nga Arbër Selmani, Azem Deliu dhe Fatime Mehmetaj, ka bërë përzgjedhjen e 40 tregimeve dhe poezive më të mira duke u botuar më vonë, në librin “Prishtinë – Muza ime” i cili tashmë gjendet në duart e lexuesve.
Sipas Agonit, një vepër e tillë do të mbetet një përshkrim i rrëfimeve të qytetarëve dhe prespektivave të grupmoshave të ndryshme, përtej pikëpamjes objektive dhe shkencore të pandemisë.
Për RTV Dukagjinin, ka folur edhe njëra ndër shkrimtaret pjesëmarrëse në librin “Prishtinë, muza ime”.
Flutur Mustafa, njëra nga shkrimtaret pjesëmarrëse, ka thënë se “Prishtina është një lëmsh i madh fija e së cilit gjendet nga ne”, gjersa ka shtuar se Prishtina është një lëmsh i kreativitetit që tashmë është bërë shtëpia e saj.