Masat e BE-së ndaj Kosovës dhe reagimet e opozitarëve

Bashkimi Evropian (BE) konfirmoi se ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës. Rreth këtij vendimi nuk munguan reagimet nga opozita, që për këtë situatë "fajësuan" kryeministrin Kurti

Flamuj të BE-së

Gjatë ditës së djeshme, Bashkimi Evropian konfirmoi se ka marrë disa masa për Kosovën për shkak të mosmarrjes së veprimeve për depërshkallëzim të situatës në veri të Kosovës.

Siç është konfirmuar për Gazetën Express, është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për Express-in.

Kjo ngjarje u kritikua nga kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, nënkryetarja e PDK-së Vlora Çitaku dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, lidhur me këtë situatë ka thënë se derisa Kosova po merr vetëm sanksione, sipas tij ky është “avancim për Serbinë”.

“Sanksione Kosovës, avancim për Serbinë. Si qenka kjo fitore për ne? Teksa ne përjashtohemi nga programet ushtarake me NATO-n; Serbia vazhdon misionet paqeruajtëse me ta”, ka shkruar Abdixhiku .

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian.

“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, ku ka thënë se nuk janë shumë të rëndësishme vlerat e humbura nga sanksionimi sa është i madh dëmi që i është bërë Kosovës në raport me ndërkombëtarët.

Më tej, ajo e ka sqaruar se si është situata, “Kosova sot është e përçarë nga brenda, dhe e sanksionuar nga aleatët. Ky është rezultati i qeverisjes së Albin Kurtit”.

Ajo ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e kishte votuar marrëveshjen që ia lehtëson rrugën Kosovës në Bashkimin Evropian.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me kryeministrin, Albin Kurti, “po hyn në një rrugë pa krye”, duke theksuar se mocioni për shkarkimin e Kurtit “sot është interes kombëtar”.

Këto deklarime, Haradinaj i bëri pasi po raportohet se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë hyrë në fuqi.

“I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit. Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Haradinaj.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas konfirmimit të masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës duke kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.

“Më 28 qershor 2023, BE e paska njoftuar Qeverinë e Kosovës për sanksionet e vendosura: suspendimi i MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA, pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera”, ka thënë Hoti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika