Bill Clinton, presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do ta vizitojë për herë të parë Shqipërinë, ku do të qëndrojë më 3 dhe 4 korrik.
Mediat atje kanë bërë të ditur detajet e agjendës, ku sipas tyre, Clinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijë në Tiranë, të hënën e 3 korrikut. Në orën 19:00 do të pritet nga kryeministri, Edi Rama, në një ceremoni të posaçme zyrtare në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Kështu, pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Në orën 19:05, Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin e 42-të të SHBA-së të marrë çmimin e akorduar.
Në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-së Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.