Drilon Jaha, i ftuar në cilësinë e kreatorit digjital në emisionin “Rreth e Rrotull”, në RTV Dukagjini, ka thënë që digjitalizimi nuk është luks sikur ka qenë diskutim gjatë viteve 2000.
Jaha thekson se një detyrim për t’u bërë pjesë e Evropës është edhe digjitalizimi.
“Digjitalizimi më nuk është lluks që kemi mundur ta diskutojmë në vitet 2000. Nëse jemi duke dashur ne të shkojmë kah Evropa, është i detyrueshëm digjitalizimi”, ka thënë Jaha.
Ai thekson se iniciativat kanë qenë ato të cilat i kanë prirë statutit kosovar pa pritur ndihmë nga shteti. Sipas Jahës, ne bazohemi në shprehjen “Nëse s’të ndihmon kurrkush, grahi vetë”.
Jaha përmend edhe pjesëmarrjen e presidentes Vjosa Osmani në një event të rëndësishëm, ku ka përmendur edhe një start-up kosovar, por që ky start-up nuk kishte marrë përkrahje shtetërore.
“Ke kompani kosovare që kanë qarkullim milionësh, të cilat nuk kanë marrë subvencione shtetërore, as evropiane e as lokale”, është shprehur Jaha.
Së fundi, Kosova nuk është përfshirë në programin e Evropës Digjitale, si i vetmi vend i papërfshirë në rajon. Në këtë program parashihet të shpenzohen rreth 7.5 miliardë dollarë.
Kjo mospërfshirje e Kosovës është si masë e përkohshme e BE-së ndaj vendit për situatën e fundit të krijuar në veri.