Rusia ashtu sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë armë bërthamore që janë më pak shkatërruese, fuqitë e tyre janë më të vogla se sa ato që u përdorën në Hiroshima, përdorimi i tyre mund të jetë më pak i rrezikshëm por edhe më shumë i mundshëm.
Frika është që Putini po ndjehet i shqetësuar nga konflikti i tanishëm. Ai mund të vendosë, që ta përdorë një nga armët e tij të vogla nukleare – kështu duke e thyer tabunë e vendosur 76 vjet më parë, pas sulmeve në Hiroshima dhe Nagasaki.
Analistët thonë se trupat ruse që moti e praktikojnë tranzicionin prej luftës konvencionale në atë bërthamore, veçanërisht nëse janë duke e humbur luftën.
Ata shtojnë se ushtria ruse zotëron arsenalin më të madh bërthamor në botë, të cilët kanë eksploruar një sërë opsionesh përshkallëzuese nga të cilat mund të zgjedhë zoti Putin.
“Shanset janë të vogla por në rritje”, tha Ulrich Kühn, ekspert bërthamor në Universitetin e Hamburgut. “Lufta nuk është duke shkuar mirë për rusët”, shtoi ai, “dhe presioni nga Perëndimi po rritet”.
Putin-i, mund të sulmojë me armë në një zonë të pabanuar në vend se aty në të cilat ka trupa, tha Dr. Kuhn. Në një studim të vitit 2018, ai parashtroi një skenar të mundshëm krize në të cilin Moska lëshoi një bombë mbi një pjesë të largët në Detin e Veriut si një mënyrë për të sinjalizuar se mund të vijnë sulme vdekjeprurëse.
“Është ndjenjë e tmerrshme të flasësh për këto gjëra”, tha Dr Kuhn në një intervistë. “Por, ne duhet ta konsiderojmë se kjo mund të ndodh”.
Washington-i, pret më shumë “lëvizje atomike” prej Putin-it në ditët e ardhshme.
Moska ka gjasa të “mbështetet gjithnjë e më shumë në materialin e saj bërthamor, ta paralajmërojë perëndimin dhe ta tregojë fuqinë”, pasi lufta dhe pasojat e saj po e dobësojnë Rusinë, i tha te enjten Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, gjeneral-lejtënant Scott D. Berrier, drejtor i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.
Këtë javë Presidenti Biden, do të udhëtojë në një samit të Natos në Burksel për të diskutuar rreth pushtimit rus në Ukrainë. Axhenda pritet të përfshijë mënyrën se si aleanca do të përgjigjet nëse Rusia përdor armë kimike, biologjike, kibernetike ose bërthamore.
James R. Clapper Jr., një gjeneral në pension i Forcave Ajrore, i cili shërbeu si drejtor i inteligjencës kombëtare të Presidentit Barack Obama, tha se Moska e kishte ulur nivelin e saj për përdorim atomik pas Luftës së Ftohtë, kur ushtria ruse u fut në kaos. Sot, shtoi ai, Rusia i konsideron armët bërthamore si të dobishme dhe jo të paimagjinueshme.
“Atyre nuk iu interesoi”, tha zotëri Clapper për mënyrën se si trupat ruse rrezikuan një rrjedhje radioaktive pasi sulmuan vendin e reaktorit bërthamor Zaporizhzhia – më i madhi jo vetëm në Ukrainë, por në Evropë. “Ata qëlluan mbi të. Ky është tregues i qëndrimit rus për “laissez-faire”. Ata nuk i bëjnë dallimet që ne i bëjmë për armët bërthamore.”
Putin njoftoi muajin e kaluar se po i vendoste forcat bërthamore ruse në “gatishmëri të posaçme luftarake”.