Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, në një konferencë për media ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se të gjitha palët duan shtensionim.
Ai ka thënë se nuk do të ketë fitues nëse ka konflikte.
“Nuk do të ketë fitues në fund nëse ka konflikte”, ka thënë ai.
Sipas tij, nevojitet dialog i hapur në mes të dyja palëve dhe se palët duhet t’i përmbahen udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian.
“Ne tentojmë të ndërtojmë ura. Ne dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog, e ai është Lajçaku. Ne duhet të largojmë çdo mundësi për kriza të mundshme, të cilat më së shumti i vuan populli. Ju mund të llogarisni në ne. Për ne është e rëndësishme të besojmë në punën e lehtësuesve të BE-së. Është mirë të ketë dialog të hapur”, ka vijuar ai.
Sipas tij, politikanët marrim vendime, por populli i vuan pasojat.
“Mos harroni se ne si politikanë marrim vendime, por populli i vuan pasojat”.
Ndërkaq, edhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka kërkuar nga Kosova, por edhe nga Serbia, që sa më parë të kontribuojnë në deeskalimin e situatës në veri të Kosovës.
Ndërkaq, tensionet në veri nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – nën asistimin e policisë – hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të serbëve lokalë.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të organizohen zgjedhje të reja në katër komunat në veri.
Kryeministri i Holandës: Deeskalimi në veri duhet të bëhet nga Kosova dhe Serbia