Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), mësimdhënësit do ta fillojnë ditën me grevë njëorëshe.
SBASHK-u ka bërë të ditur se të gjitha institucionet arsimore do të jenë në grevë një orëshe të enjten, duke filluar nga çerdhet të cilat do të jenë në grevë nga ora 06:30-7:30, ndërsa shkollat fillore varësisht nga ndërrimet, ora e parë do të jetë grevë, kurse universitetet nga ora 10:00-11:00.
Ata kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në pagat e tyre derisa të miratohet Ligji i Pagave në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i rizgjedhur i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar se greva e së enjtes është vetëm paralajmërim i një proteste gjithëpërfshirëse të sektorit publik që sipas tij do të mbahet me 20 maj të këtij viti, gjithnjë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Duke e parë që nuk ka pas asnjë lëvizje konkrete, asnjë takim konkret, asnjë veprim i duhur i Qeverisë, këshilli drejtues (i SBASHK-ut) aprovoi vendimin edhe një herë të Kongresit dhe vendosi që më 12 maj të jetë një grevë paralajmëruese njëorëshe në terë sistemin arsimor. Por, në këtë grevën njëorëshe kemi informacione se do të jenë edhe sektorët e tjerë dhe sindikatat që janë pjesë e BSPK-së. Ndërsa sa i takon sektorit të arsimit, ne e kemi bërë edhe planin, orarin”, ka thënë Jasharaj.
Grevë njëorëshe, ka paralajmëruar edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK)
Në njoftimin e tyre thuhet se ky veprim po bëhet pa dëshirën e tyre, por që, janë të detyruar si pasojë e mospërfilljes së kërkesave të tyre nga ana eekzekutivit.
BSPK-ja pret që të ketë dialog të mirëfilltë me institucionet qeverisëse të vendit, në mënyrë që të përmbushen kërkesat e sindikalistëve.
Kërkesat e BSPK-së, janë:
- Rritja e pagave për 100 euro për të gjithë të punësuarit që marrin paga nga buxheti i Kosovës deri sa të përmbushen kërkesat e mëposhtme.
- Miratimi i Ligjit të Pagave.
- Rritja e rrogës minimale
- Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor