(Ekskluzive) Vazhdon kërkimi i të pagjeturve, këtë javë do të ketë gërmime në Kosovë

Në një intervistë për Portalin Dukagjini, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit ka bërë të ditur se në këtë javë, institucionet e Kosovës do të angazhohen për realizimin e gërmimeve në Kosovë në dy lokacione në territorin e regjionit të Prishtinës, teksa ka theksuar se sfidë mbetet realizimi i gërmimeve në territorin e Serbisë

Plagët e familjarëve të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë më 1998/99, mbesin ende të hapura edhe pas kaq shumë vjetësh.

E për zbardhjen e fatit të tyre, shpresë mbesin gërmimet e reja në lokacione që dyshohen për varreza masive.

Në një intervistë ekskluzive për Portalin Dukagjini, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se këtë javë institucionet e Kosovës do të angazhohen për gërmime në dy lokacione në territorin e regjionit të Prishtinës, një lokacion në fshatin Kishnicë dhe lokacioni tjetër te varrezat e qytetit në lagjen “Arbëria”.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

Ai ka thënë se këto gërmime pritet të fillojnë që nga e mërkura e 5 korrikut (sot) nëse moti është i mirë, sepse, siç thotë ai, reshjet e shiut mund të vështirësojnë realizimin e gërmimeve.

Pas kësaj, ai ka thënë se do të vazhdohet në javët në vijim në një lokacion në regjion të Mitrovicës dhe një lokacion në regjion të Gjakovës.

“Përderisa gjatë kësaj jave do të jemi të angazhuar në dy lokacione në territorin e regjionit të Prishtinës, një lokacion në fshatin Kishnicë dhe lokacioni te varrezat e qytetit në lagjen ‘Arbëria’. Për të vazhduar pastaj në javët në vijim, në një lokacion në regjion të Mitrovicës dhe një lokacion në regjion të Gjakovës”, ka thënë Gara.

Ai ka bërë të ditur se në javët në vijim mund të ketë rikthim të realizimit  të gërmimeve edhe në tri lokacione, si në lokacionin e varrezave në lagjen ‘Mat / Matiqan’ në Prishtinë, pastaj në një fshat në komunë të Kamenicës dhe në një fshat në komunë të Podujevës, në të cilat, institucionet e Kosovës kanë qenë të angazhuara për realizimin e gërmimeve gjatë këtij viti.

“Gjatë këtij viti, kemi qenë të angazhuar në realizimin e gërmimeve në tri lokacione, si në lokacionin e varrezave në lagjen Mat / Matiqan në Prishtinë, pastaj në një fshat në komunë të Kamenicës dhe në një fshat në komunë të Podujevës. Në këto tri lokacione, sigurisht nuk përjashtohet mundësia të rikthehemi në javët në vijim”, ka vijuar Gara.

Sfidë mbetet mungesa e bashkëpunimit të institucioneve të Serbisë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Gara akuzon Serbinë për mosbashkëpunim dhe mosgatishmëri për të ndriçuar fatin e të të zhdukurve me forcë gjatë luftës në Kosovë.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës më 2020. FOTO: Iva Martinovic, REL

“Është shqetësuese dhe sfidë në këtë proces, mungesa e informacioneve të besueshme, rrjedhimisht mungesa e gatishmërisë së palës serbe për të qenë më bashkëpunues në kuptim të hapjes së arkivave të ish-Ushtrisë Jugosllave dhe vënien në dispozicion të këtij procesi të dhënat dhe informatat nga këto arkiva, mbi bazën e të cilave do të kishte më shumë rezultate, nëse mund të përdoret kjo shprehje, në këtë proces”, ka theksuar Gara.

Ai ka thënë se ndonëse “Deklarata për të Zhdukurit” është miratuar më 2 maj në Bruksel, ka ngecje në implementimin e saj nga pala serbe.

“Duke pasur parasysh qasjen politizuese dhe mungesën e bashkëpunimit, në vazhdimësi, të institucioneve të Serbisë kundrejt çështjes së personave të zhdukur,  krahas peshës që ka arritja e këtij dakordësimi do të ishte e rëndësisë së veçantë apo e nevojshme dhe domosdoshme edhe implementimi i ‘Deklaratës’”.

Megjithatë, Gara thekson se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do të vazhdojë me përkushtimin dhe angazhimin maksimal në përmbushje të objektivave dhe realizimit të aktiviteteve “në përpjekje të respektim të të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, para se gjithash të drejtën për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre të rrëmbyer dhe të zhdukur dhunshëm”.

Gërmimet rivlerësuese – lokacionet e mundshme, Batajnica, Petrovo Sello dhe Bajna Bashta

Në lidhje me ndërprerjen e gërmimeve në Serbi për mbetjet mortore të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, Gara ka thënë se ka lokacione që vazhdojnë të mbesin raste apo kërkesa që duhen riadresuar në kuptim të rivlerësimit.

“Rasti i lokacionit të ‘varrezës masive në Batajnicë’, por edhe lokacionet tjera si në Petrovo Sello dhe Bajna Bashta (apo Liqeni Peruqac), vazhdojnë të mbesin raste apo kërkesa që duhet riadresuar në kuptim të rivlerësimit, përkundër gërmimeve të realizuara në vitet e para të pasluftës dhe zhvarrosjes së më shumë se 900 viktimave të luftës (pra të rrëmbyerve dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovë). Megjithatë, është shumë e rëndësishme implementimi nga pala serbe apo përmbushja e zotimeve të përmbledhura në Deklaratën për Persona të Zhdukur (Deklaratën e datës 2 maj 2023)”.

Ai ka thënë se nga koha e gërmimeve në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sjenicës, në territorin e Serbisë, përkundër kërkesave të vazhdueshme nga Kosova, nuk ka asnjë lokacion apo datë për fillim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara apo vazhdim të gërmimeve në lokacionet e papërfunduara në territorin e Serbisë.

Vendi ku janë bërë gërmime nën dyshimet për varrezë masive, Shtaval, komuna e Sjenicës, Serbi, 25 maj 2022. FOTO: Amela Bajrovic, REL

Kosova kërkon rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë për mosgatishmëri në zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Gara kërkon nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.

“Bazuar në përvojën e deritanishme, pra në hapjen e pesë lokacioneve të varrezave masive në territorin e Serbisë, mund të konstatojmë se është më se e rëndësishme bashkërendimi edhe i mëtejmë me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare që janë të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të rrëmbyer dhe zhdukur, me qëllim të rritjes së presionit apo trysnisë ndaj palës serbe, qoftë për ofrim të informacionit apo lejim të gërmimeve në lokacionet tanimë të shënjuara në territorin e Serbisë, qoftë lokacionet e paadresuara në kuptim të gërmimit vlerësues deri më tani”.

Sipas tij, presioni duhet të rritet karshi Serbisë edhe për kërkesat e Kosovës drejtuar asaj për rikthim në tri lokacionet e varrezave masive të adresuara në vitet e para të pasluftës, ”bazuar në analizat që institucionet përgjegjëse janë duke i bërë dhe vlerësimet që këto tri raste apo lokacione mund të riklasifikohen si raste me interes për t’u rikthyer, me qëllim të gërmimit vlerësues në tërë hapësirën e nevojshme”.

Në maj të vitit 2022, në fshatin Shtaval në komunën e Sjenicës në Serbi, për 13 ditë janë zhvilluar gërmime në kërkim të një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kërkesën për kontrollimin e këtij lokacioni e kishte dërguar Prishtina.

“Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës, andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë”, thuhej në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Përkundër sfidave, Gara thekson se Komisioni Qeveritar i Kosovës për Personat e Zhdukur në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës do të vazhdojnë të jenë shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e trajtimit dhe adresimit të informatave që do të mund të kontribuonin në zgjidhjen e çdo rasti të evidentuar si “person i zhdukur me forcë”.

Gërmimet në Rashkë, 2013 FOTO: Courtesy Photo/REL

Ndryshe, Deklarata për Personat e Zhdukur u miratua në Bruksel më 2 maj nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Mbi 1 mijë e 600 persona konsiderohen ende të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999, rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe mbi 1 mijë e 600 konsiderohen të zhdukur.

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë – lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika