Ka nisur takimi i thirrur nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ku me opinionistë e gazetarë do të diskutojnë për gjendjen politike në vend, me theks të veçantë relacionet e Kosovës me aleatë.
Ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se nga e mërkura do të organizojë katër takimet e para me opinionistë e gazetarë, organizata të shoqërisë civile, profesorë universitarë e ish-diplomatë e biznese nga sektori privat në vend, për të diskutuar propozimet për “dalje nga kriza e tanishme izoluese e tensionuese”.
Abdixhiku ka paralajmëruar për nisjen e “një rruge të re pa Albin Kurtin”.
Për këtë rrugë, ai ka thënë se kanë marrë mbështetje të madhe nga aktorët e ftuar.
Ndryshe, tensionet në veri nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, të Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.
Bashkësia ndërkombëtare i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.