Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka cilësuar si marrëzi e turp refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ajo i ka kërkuar kreut të ekzekutivit që t’i lërë “inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”.
“Si është e mundur që kryeministri Kurti refuzon takimin me kryeministrin e Shqipërisë?!!Si është e mundur?! Kjo është marrëzi. Turp. Vuçiqin e takon pa kushte e Ramës i vendos kushte. Kryeministër, Kosova nuk është lodër. Qeverisja nuk është lojë fëmijësh. Lëri inatet, mllefet e hatërmbetjet personale”, shkroi Çitaku në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm të mbajë mbledhjen e dy qeverive, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ishte paraparë të zhvillohej më 14 qershor në Gjakovë, por që e njëjta ishte anuluar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në një konferencë për media, Kurti e konsideron të arsyeshme mbajtjen e mbledhjes së përbashkët në mes të dy qeverive, por jo takime të tjera.
Kështu ka thënë ai teksa ka njoftuar se kryeministri Rama do të jetë në vizitë në Prishtinë në kuadër të turit Ballkanit, i cili ka të bëjë me përgatitjen për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.
“Jam në kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe e di që do të vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit Ballkanit. Është thënë që ky tur ka të bëjë me përgatitjen e samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që mbahet në mes të muajit tetor dhe miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqenëse do të vijë që ta mbajmë edhe mbledhjen e qeverive, e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë më 14 qershor në Gjakovë. 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, të cilat tash kanë ngelur në sirtar, në mënyrë që këto marrëveshje të mos ngelen edhe më tutje në sirtar, sepse nga përfitojnë qytetarët dhe çdo ditë e humbur pa i nënshkruar ato është në dëm të qytetarëve. I propozova që meqë po vjen në këtë javë, le të mbajmë mbledhjen e dy qeverive”.
“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri Rama insiston në anulimin e mbledhjes, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë që për takimet e ne të dyve, ne takohemi shumë shpesh, nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, nëse nuk takohemi si kryeministra, por për shkak që mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm, andaj e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët në mes dy qeverive, por jo takime të tjera”, ka thënë Kurti.