Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, të mërkurën kishte thirrur një takim me opinionistët, gazetarët e Kosovës dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Pjesë e këtij takimi ishte edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, i cili ka deklaruar se nga Abdixhiku dhe deputetët e tjerë të kësaj partie ka kërkuar të distancohen nga “gjuha e rrezikshme e kryetarit të Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxheri”.
“Nga Lumir Abdixhiku kërkova që ai dhe LDK të distancohen nga kjo gjuhë e rrezikshme e Muhaxherit. Nëse kjo qasje është mendësia e “alternativës” së LDK’së, atëherë s’kam koment”, është shprehu Mushkolaj.
Muhaxheri i kishte krahasuar veprimet e kryeministrit Kurti në veri me ato të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Ai ka theksuar se takimin nuk e kishte bojkotuar edhe pse i pranishëm ishte edhe Muhaxheri, i cili sipas tij, një natë më parë bëri krahasimin skandaloz të qasjes së kryeministrit Albin Kurtit në veri me Slobodan Milosheviqin.
“Iu kam përgjigjur pozitivisht ftesës së LDK’së për bashkëbisedim me gazetarë e opinionistë. Njësoj kam vepruar edhe kur më ka ftuar VV, sa ka qenë në opozitë. Do t’iu përgjigjem edhe ftesave të tjera të ngjashme – edhe nga qeveria.Nuk shoh asgjë të keqe që të dëgjohen e shkëmbehen ide. As të përplasen mendime”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.
Ndërsa, Abdixhiku, pas takimit me opinionistët dhe gazetarët, ka vlerësuar kontributin e tyre për daljen nga kriza.
Ai u tha gazetarëve se gjendja në vend është e zymtë dhe e rëndë, prandaj thotë se LDK-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq.
Sipas tij, vendi nuk mund të jetë peng i një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kreu i LDK-së pohoi se do të ketë takim edhe me presidenten Vjosa Osmani.