Mëngjesin e së enjtes nën masa sigurie të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen makabre të Marigona Osmanit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, kanë dalë edhe një herë para gjyqit.
Seanca e kësaj dite është e rezervuar për dëshmitë e atyre mbi të cilët rëndojnë akuzat e rënda si dhe mbrojtësve të tyre.
Fillimisht nga salla largohet Arbër Sejdiu për t’u deklaruar fillimisht Krivaqa, por i njëjti nuk thotë asnjë fjalë lidhur me ngjarjen.
“Keni deklaruar se kam kuptuar udhëzimin, dhe keni thënë se do të deklaroheni për këtë çështje në seancat paraprake”, ka thënë gjykatësi.
“E shfrytëzoj të drejtën mu mbrojt në heshtje”, thotë Krivaça.
Teksa pyetet për arsyen e ndërrimit të mendimit, ai thotë se “nuk jam në gjendje me i shpjegu, me u deklaru për çështjet të cilat kanë ndodhë”.
Pas tij, radha i erdhi Arbër Sejdiut, i cili pranon të deklarohet.
Fillimisht në pyetje e mori avokatja e tij Shefkiu, ku e pyet për deklaratën në polici.
Ai thotë se nuk i kujtohet dhe nuk qëndron pranë saj, pasi ka qenë në ndikim narkotik.
“Kam dhanë deklaratë të shkurtër, kam qenë i shqetësuar, kam qenë në ndikim të narkotikëve, por tash dua të deklarohem nga fillimi. Kam qenë përdorues i kokainës dhe barit më herët, por ato ditë kam përdor për herë të parë tronadoll. Asnjëherë nuk iu kam nënshtruar terapive për problemin me narkotikë. Më 9.8.2021 kom mbërri në Kosovë, nga Zvicra, nuk e di kur e kom taku Dardanin për herë të parë, rreth 1 javë deri 1 javë e gjysmë para ngjarjes e kam taku. Arsyeja e takimit që s’jemi taku që 10 vite, se Dardanin e njoh nga fëmijëria, e kam taku për kafe në Ferizaj. Nuk më ka tregu që ka probleme me Marigonën, veç që tash është i martuar. Kam qenë në banesë 3/4 ditë përpara rastit në banesë te Dardani, skom pasë makinë në banesë tem, i kam dërgu ca rroba m’i la. Kena pi pak drogë aty, atë ditë gruan e tij e kishin qitë prej punës”.
“Ish kanë e mërzitë se e kanë qit prej punës, ka hy në dhomë të fjetjes ajo, s’më ka përshëndet. Jena kanë tre vetë, kena pi bari, ma shumë atë ditë, unë Dardani edhe një djalë tjetër, tezak i Dardanit mdoket, nuk ia di emrin. Nuk më kujtohet sa ka qëndru, as kur ka ardhë. Por unë mendoj që kam qëndru 2/3 orë. Unë në banesë të Dardanit, sa kam nejt se kam taku nanën e tij, edhe pse e kam ditë që jeton me të. Kom pas muhabet, kena nejt, kena fol, kena pi, për qëto arsye kom nejt. Nuk e kam ditë çka po ndodhë mes Dardanit dhe Marigonës, nuk e kam parë tu e godit kurrë Marigonën, por e kam ni tu i bërtit, një rast e ka pasë një shipkë në dorë, Marigona është kanë shtrit në shtrat, ai e kërcënojke, kam hy në dhomë e kam kap Dardanin nga shpina, e kam largu. Dardani i ka thanë, e ka kërcënu me familje. I ka thon pranoma a ke pas marrëdhënie me dikë, nuk e kam ditë qartë çka u kanë. Nuk më kujtohet reagimi i Marigonës, ajo u kanë shtrit, po unë jam fokusu te Dardani me largu, masi u kon me shipkë më dorë.”
Arbër Sejdiu: Krivaqa më ka pyetur mos kam pasur marrëdhënie me gruan e tij
“Më ka pyet mos kam qenë në banesë sa s’ka qenë ai aty, më ka bo pyetje palidhje, mos kam pasë ndonjë marrëdhënie me gruan e tij sa s’ka qenë ai aty. I kam thanë shikoji kamerat i ki, i kam propozuar unë me ardhë ata të kamerave që me pa ai, a kam qenë aty pa ta. Ai ka fillu me i shiku pamjet me ata të kamerave. Unë kam qëndru në distancë. Unë shkoj blej bukë, kthehna, Dardani hyn del në dhomë te e ndjera, e dëgjoj tu i thanë, kur u kon, tek u kon, çfarë date, nuk e di për kënd e ka pyet, m’doket për një djalë dajës së tij”, shtoi më tej Sejdiu.
“Nuk e kam ditë që ka ekzistu dhunimi, nuk e di, as smë ka tregu, as s’ka kërku prej meje ndihmë asgjë. Si dhe apsolutisht asnjë moment nuk e kam goditur unë Marigonën as kërcënuar, vetëm e kam mbrojtur”., përfundon deklarata e tij në pyetjet e avokates.
Në seancën paraprake ishin paraqitur provat e prokurorisë, ku ndër të tjera të akuzuarit ishin përballur edhe me një CD-incizim 72-orëshe, nga banesa e të akuzuarit Krivaçës në periudhën kur kishte ndodhur krimi, që cilësohet ndër provat kryesore të organit të akuzës.
Ndryshe, gjykimi kundër tyre ka filluar në korrik të vitit të kaluar, ku në seancën fillestare, Krivaça ishte mbrojtur në heshtje, ndërsa Sejdiu ishte deklaruar i pafajshëm.