Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Kosovë.
“Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në vendin tonë”, thuhet në komunikatën e policisë.
Tutje thuhet se për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, me 06.07.2023, nga Aeroporti Ndërkombëtar” Adem JASHARI” në drejtim të Prishtinës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore), dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Gjithashtu, ju njoftojmë se në disa segmente rrugore në kryeqytet do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik. Po ashtu, me datë 07.07.2023, gjatë kthimi të tij nga Prishtina në drejtim të Aeroportit do të aplikohen masat e njëjta”, thuhet tutje.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë sot pasdite pritet të jetë në Prishtinë në kuadër të përgatitjeve për Procesin e Berlinit, ku janë konfirmuar takimet e tij me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.
Kryeministri Kurti ka thënë të mërkurën se me Ramën do të takohej vetëm nëse do të ketë mbledhje të dy qeverive shqiptare, e cila e paraparë të mbahej më 14 qershor, u anulua nga Qeveria e Shqipërisë shkaku i gjendjes në veri.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka nënshkruar 13 marrëveshjet e planifikuara në mes të saj dhe Qeverisë së Kosovës, marrëveshje që planifikoheshin të nënshkruheshin në mbledhjen e 14 qershorit.
Ato i ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pasi thotë se “ia heqi marakun Kurtit”, ai po pret një konfirmim nga ana e tij për të zhvilluar një takim pasditen e së enjtes.
Në agjendën e publikuar nga Rama, aty thuhet se takimi nga kryeministri Kurti nuk është konfirmuar akoma.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë do të vizitojë Kosovën, të enjten. Me këtë rast, ai do të takojë edhe presidenten Osmani.
Siç bën të ditur Zyra e Presidencës së Kosovës, takimi në mes të Osmanit dhe Ramës do të fillojë në orën 16:00.
Rama pret konfirmimin e Kurtit për takim, thotë se ia “heqi merakun” për 13 marrëveshjet