Me rastin e 28-vjetorit të masakrës së Srebrenicës (Bosnjë dhe Hercegovinë) do të mbahet tubim përkujtimor në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, të hënën e 10 korrikut.
Ky tubim përkujtimor, që do të mbahet në amfiteatrin e Institutit të Historisë, organizohet nga profesori, Nexhemedin Spahiu dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Spahiu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
“Të nderuar miq ju ftoj që të hënën (10.07.2023) në ora 20.00 në amfiteatrin e madh të Institutit të Historisë në Prishtinë (përballë mensës së studentëve) të merrni pjesë në tubimin përkujtimor me rastin 28 Vjetorit të masakrës të Srebrenicës të cilin tubim e organizojmë unë dhe zv/kryeministrja e Kosovës, Emilija Redžepi . Solidariteti me viktimën është virtyt i madh njerëzor. Pjesëmarrja e juaj masive do ta dëshmojë këtë virtyt tonin para ndërkombëtarëve në këto kohë të vështira për Kosovën”, ka shkruar Spahiu.