Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka vlerësuar se takimi në mes të kryeministrave Kurti dhe Rama duhet të ndodhë, sidomos pas nënshkrimit të 13 marrëveshjeve nga ana e Shqipërisë.
Në një konferencë për media, Tahiri ka vlerësuar mospranimin për takim nga ana e Kurtit si njërin ndër skandalet më të mëdha.
“Sa i përket vizitës së kryeministrit Rama, ajo që mund të them është kjo. Kryeministri i Shqipërisë, cilido qoftë ai e në këtë rast Edi Rama, vjen në shtëpinë e vet, vjen te vëllezërit dhe motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me të nga zoti Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që me të vërtet e bën të turpërueshëm secilin shqiptar që mendon dhe frymon shqip. Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat. Ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s dhe mbi të gjitha, është një mik që qartë shihet se ka një brengë për situatën në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Tahiri konsideron se Rama plotësoi kushtin e kërkuar nga Kurti dhe një kushtëzim i tillë nga ana e tij shpalosi agjendën mashtruese që përfshinte idenë e Bashkimit Kombëtar.
“Takimi duhet të ndodhë, për shkak se Rama e ka bërë edhe një hap tutje…ka urdhëru që marrëveshjet të nënshkruhen nga ministrat, ashtu që të plotësohet kushti i Kurtit…Këto kushtëzime jo që bien ndesh me synimet tona politike, por e zbardhin një agjendë mashtruese hipokrite që ka pasur Kurti nga platforma e bashkimit kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në kuvend…”, ka thënë ai.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka miratuar ndryshimet në ligjin për pensionet, duke mundësuar që personave që janë larguar nga puna në vitet e ’90-ta të përfitojnë nga pensioni kontributpagues.
Lidhur me këtë, shqetësimin e ka shprehur edhe deputeti Shemsedin Dreshaj.
Ai e ka vlerësuar këtë vendi, si një “vendim politik” për të siguruar një paqe sociale.
“Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese e një vendimi politik që kjo Qeverisje e merr për të siguruar paqen sociale në vend. Ky ligj, sipas rregullës është dashtë t’u nënshtrohet procedurave legale të hartimit, të debatit publik, parlamentar, me komisione funksionale të Kuvendit dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura kanë shkuar në rrugë të shkurtuar, madje as debat publik nuk kemi pas dhe ne nuk kemi informatë se palët e interesit sot a janë të kënaqura me propozime apo jo. Ky ligj, aktualisht në formën që na u është propozuar neve, është shumë konfuz, përkundër rekomandimeve që ne i kemi dhënë që në mënyrë dicidive të largohet 15-vjetshi dhe neni diskriminues 5 i Udhëzimit Administrativ. Ky ligj fatkeqësisht e ka edhe një paragraf i cili është shumë i paqartë..bëhet fjalë për paragrafin 2 të këtij neni, ku definohen disa kategori si të papërcaktuara…është për t’u debatuar e diskutuar”, ka deklaruar ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me këto ndryshime, të gjithë pensionistët do të trajtohen në mënyrë të barabartë.