Vendndodhja e Prigozhinit ka qenë një mister që nga rebelimi i tij kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Shefi i “Wagner”-it, Yevgeny Prigozhin, i cili udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër në Rusi muajin e kaluar, ende gjendet në Rusi dhe jo në Bjellorusi, kështu ka thënë presidenti bjellorus, Aleksandr Lukashenko.
Sipas një marrëveshjeje të negocuar nga Lukashenko në mes të Putinit dhe Prigozhinit për t’i dhënë fund kryengritjes, duke i anuluar akuzat kundër Prigozhinit për tradhti kombëtare, atij iu ofrua një lëvizje për në Bjellorusi.
Megjithatë, të enjten, udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha: “Sa për Prigozhinin, ai është në Shën Petersburg. Ai nuk është në territorin e Bjellorusisë.”
Ndryshe, pak më shumë se një javë më parë, presidenti i Bjellorusisë Lukashenko kishte ndihmuar ndërmjetësimin e marrëveshjes për t’i dhënë fund kryengritjes. Ndërsa, Prigozhini kishte mbërritur në Bjellorusi, pati deklaruar Lukashenko.
BBC pati gjurmuar avionin privat të Prigozhinit që fluturoi për në Bjellorusi në fund të qershorit dhe u kthye në Rusi po atë mbrëmje.
Që atëherë, ai ka bërë disa fluturime midis Shën Petersburgut dhe Moskës, megjithëse nuk është e qartë dhe nuk dihet nëse Prigozhin ka qenë në bord. Sipas BBC-së, gjithashtu nuk mund të dihet dhe verifikohet pretendimi i Lukashenkos për vendndodhjen aktuale të liderit Wagner.
Të enjten, Lukashenko shtoi se “me sa di unë” pjesa tjetër e luftëtarëve të “Wagner”-it ishin ende në bazat e tyre, të cilat mund të përfshijnë Ukrainën lindore ose një bazë stërvitore në rajonin Krasnodar të Rusisë.
Udhëheqësi i Bjellorusisë tha se një ofertë për “Wagner”-in për të vendosur disa nga luftëtarët e saj në Bjellorusi, një perspektivë që ka alarmuar vendet fqinje të NATO-s ende qëndron dhe se ai ka ofruar disa vende ushtarake të epokës sovjetike për përdorimin e tyre.
“Por Wagner ka një vizion tjetër,” tha ai, duke shtuar: “Sigurisht që nuk do t’ju tregoj për këtë.”
“Për momentin çështja e zhvendosjes së tyre nuk është zgjidhur”.
Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë që nga viti 1994 dhe mendohet gjerësisht se ka manipuluar zgjedhjet e 2020 për të ruajtur pushtetin, tha se ai nuk e shihte lëvizjen e luftëtarëve të “Wagner”-it në Bjellorusi si rrezik dhe nuk besonte se ata do të merrnin ndonjëherë armët kundër vendit të tij.
Para së gjithash, vlen të ceket se grupi “Wagner” është një ushtri private mercenarësh që ka luftuar përkrah ushtrisë së rregullt ruse në Ukrainë.
Ndërkaq, kujtojmë që ditë më parë, luftëtarët e “Wagner”-it udhëtuan në veri drejt Moskës, duke bërë që Kremlini të vendosë siguri më të rreptë në shumë rajone, duke përfshirë kryeqytetin.
Shefi i “Wagner”-it zotohet të ndëshkojë udhëheqësit ushtarakë rusë