Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se mocioni i propozuar nga kjo parti për ta rrëzuar Qeverinë, nuk ka gjetur përkrahjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës deri më tani.
Lekaj nuk i ka përjashtuar protestat për të kërkuar rrëzimin e Qeverisë. Sipas tij, ata janë munduar që të krijojnë një front të përbashkët opozitar, mirëpo që deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
Ai pritet që në ditët në vijim të diskutojnë për mocionin edhe për veprime të mëtutjeshme politike e demokratike për të rrëzuar Qeverinë Kurti.
“Sa i përket mocionit Aleanca e ka marrë një vendim që të kemi një mocion për qeverinë e Kosovës mirëpo fatkeqësisht nuk është përkrahur nga dy subjektet politike PDK e LDK. Ne jemi munduar që të komunikojmë që të kemi një front përbashkët opozitar, por po shihet që ende nuk kemi bërë zgjidhje sa i përket frontit opozitar”, ka thënë ai.
“Mirëpo shpresoj që në ditët në vijim do të ulemi e do të bisedojmë edhe për mocion, edhe për veprime të mëtutjeshme që do të jenë veprime politike, demokratike që për të qortuar Qeverinë e Kosovës. Nëse vazhdon kështu, nëse do të kemi prapë ndëshkime edhe nga ShBA-ja, atëherë nuk dihet se çka i ka mbetur këtij kryeministri përpos të shkojë në shtëpi”, ka deklaruar Lekaj.
Ai ka thënë se deri më tani opozita nuk i ka numrat për mocion, por do të përdorin edhe forma të tjera, duke mos përjashtuar edhe protestat që ta rrëzojnë Qeverinë.
“Ajo që mund të them realisht deri më tani nuk kemi deputet, numrat që për të rrëzuar qeverinë, na mbetet që të koordinohemi, që të shkojmë si front opozitar, nëse duhet edhe me protesta që të ndalet kjo qeveri dhe që mos të izolohet vendi dhe të mos atakohemi nga këto ndëshkime qytetarët”, ka theksuar deputeti i AAK-së. /EO