Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka “thumbuar me fjalë” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, para gazetarëve pas takimit të tyre me kryeparlamentarin kosovar, Glauk Konjufca.
Rama është pyetur për opinionin e tij në lidhje me Kurtin, por ai refuzoi të komentonte, duke thënë “S’kam homolog unë, nuk jap dot koment”.
Kujtojmë se vizita e Ramës në Kosovë ishte e shoqëruar me shumë diskutime dhe polemika, pasi kryeministri Albin Kurti nuk kishte pranuar të takohej me homologun e tij nga Shqipëria.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim kryeministrin Rama, me të cilin ka diskutuar për proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me theks në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit.
Kryeministri Rama do të qëndrojë në Kosovë në kuadër të një turi dyditor ballkanik që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur Samitin e Procesit të Berlinit.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama, siç thuhet në njoftimin e Presidencës, janë dakorduar që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona, si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.