Tashmë është konfirmuar se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa kundër Kosovës, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar. Këto masa vijnë për shkak të mosdëgjueshmërisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa u përket veprimeve në veri të vendit.
Në konfirmimin e BE-së thuhej se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.
Ndërkohë takimet që s’do të pezulloheshin ishin ato në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Partitë opozitare reaguan menjëherë duke e fajësuar kryeministrin Kurti për situatën e krijuar.
Tri ditë pasi u konfirmuan këto masa, më 4 korrik, erdhi edhe reagimi nga kreu i ekzekutivit Albin Kurti, i cili i quajti këto masa “të padrejta”, duke thënë se Kosova vetëm është duke e zbatuar ligjin ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se për qytetarët dhe “Kosovën politike” masat e BE-së nuk ishin të mirëseardhura, e sipas tij nuk janë as të qëndrueshme në kuptimin e arsyeshmërisë së tyre.
“Megjithatë, nuk janë as risi, sepse edhe vendet e tjera në rajon kanë marrë masa nga Bashkimi Evropian më parë”, ka thënë Pula.
Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se këto masa janë të përkohshme. Rreth kësaj Pula thotë se zyrtarët e BE-së janë të vetëdijshëm se ato janë të padrejta dhe të paarsyeshme.
Pula ka thënë tutje se masat e BE-së ndaj Kosovës kanë efekt presioni, duke pritur ndryshim qëndrimesh për t’i ndryshuar më pas edhe rrethanat.
“Zyrtarët e Unionit Europian janë të vetëdijshëm se këto masa janë të padrejta dhe me mungesë arsyeshmërie, andaj dhe i konsiderojnë si të përkohshme, vetëm me efekt presioni, duke pritur ndryshim qëndrimesh për t’i ndryshuar më pas rrethanat”, ka shtuar Pula.
Derisa për ndikimin e tyre në të ardhmen e vendit, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare potencon se të njëjtat veçse e kanë rënduar politikisht Kosovën dhe se janë duke e ngadalësuar procesin e përafrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Pula ka shtuar se në përgjithësi është punuar me hapa tejet të ngadalësuar për inkuadrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke kujtuar se në vitin 2003, në samitin e Selanikut, Ballkanit Përëndimor i është konfirmuar perspektiva evropiane nga BE-ja. “Duke mos harruar, që më 1 korrik 2023 janë bërë plot dhjetë vjet nga anëtarësimi i Kroacisë si i fundit në BE”, ka shtuar ai.
Kjo, sipas tij, tregon mungesë vullneti për zgjerim dhe inkuadrim të vendeve të Ballkanit në BE.
“Në vitin 2003 në samitin e Selanikut, Ballkanit Perëndimor i është konfirmuar perspektiva evropiane nga UE-ja, por, duke i vlerësuar rezultatet, që nga atëherë është punuar me hapa tejet të ngadalësuar. Duke mos harruar, që më 1 korrik 2023 janë bërë plot dhjetë vite nga anëtarësimi i Kroacisë si i fundit në Union Europian, kjo tregon që UE-ja ka mungesë vullneti e kompromisi politikë për zgjerim dhe inkuadrim të vendeve të Ballkanit në UE”, ka theksuar ai.
Dhe nëse situata në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka theksuar se marrëdhëniet Kosovë-ShBA nuk do “të lëndohen” nga askush dhe se rreth kësaj çështjeje nuk ka asnjë arsyeje për t’u shqetësuar.
Ndërsa analisti politik, Arbnor Sadiku, në një intervistë për Portalin Dukagjini, lidhur me këtë temë ka thënë se këto masa e dëmtojnë Kosovën në masë të konsiderueshme dhe sipas tij, këto masa bazohen në “vendimet destruktive deri në shkallën e marrëzisë të Qeverisë së Kosovës ndaj Perëndimit të udhëhequr nga Kurti”.
“Janë masa të cilat në aspektin përmbajtësor, ekonomik dhe atë të imazhit ndërkombëtar dëmtojnë Kosovën në masë të konsiderueshme, dhe atë bazuar në vendimet destruktive deri në shkallën e marrëzisë të Qeverisë së Kosovës ndaj Perëndimit të udhëhequr nga Kurti”, ka thënë Sadiku.
Ai ka thënë se situata aktuale në veri të vendit, në vazhdën e raporteve ShBA-Kosovë do të ndikojë në nivel përkeqësimi.
“E shoh një nivel përkeqësimi dhe konsideroj se amerikanët gjatë muajve në vazhdim Kurtit do t’ia bëjnë jetën të vështirë”, ka shtuar ai.
Sadiku shprehet se nga këto masa Kosova do të izolohet ndërkombëtarisht, dhe “fajin” ia hodhi kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ashtu, ai nuk u kursye as për ndërkombëtarët, duke theksuar se këto masa kanë pasuar dhe nga “dështimi” i BE-së dhe i ShBA-së dhe emisarëve të tyre, duke theksuar se gjendja aktuale e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë “u ka dalë nga duart” kryediplomatit evropian Joseph Borrell dhe sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
“Kosova do të izolohet ndërkombëtarisht për fajin e LVV-së dhe Kurtit, dhe natyrisht dështimit të BE-së dhe SHBA-së dhe emisarëve të saj të menaxhojnë palët në mosmarrëveshje Kosovë-Serbi, pra, gjendja aktuale e bisedimeve Kosovë-Serbi u ka dalë prej doresh Borrell-it dhe atij të SHBA-së, Blinken-it”, ka përfunduar Sadiku.
Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja janë duke kërkuar nga Kosova tërheqjen e njësisë speciale nga objektet komunale në veri, zgjedhje të parakohshme në tri komunat, që sipas tyre do të shërbenin në shtensionim të situatës.
Ndërkaq, Kurti thotë se njësia speciale do të largohet nga ato objekte kur të largohen grupet kriminale nga veriu. Po ashtu, ai është shprehur pro zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna.