Të enjten, në një intervistë i pyetur për reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq se do të rishikojë qëndrimin ndaj Kosovës nëse ajo kërkon anëtarësim në Këshillin e Evropës, Rama ka shprehur keqardhje për Serbinë në këtë rast, pasi Shqipëria mbështet Kosovën.
“Kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, ka thënë Rama.
Gjithashtu, kryeministri shtoi se Shqipëria do të ndryshojë tërësisht kurs dhe do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut nëse nuk hapen negociatat me Bashkimin Evropian, pasi thotë se për shkak të çështjes mes Bullgarisë e Maqedonisë, Shqipëria është bërë pjesë e një ngërçi të madh, me të cilin nuk ka lidhje fare.
‘’Sa i përket pjesës tjetër, ne jemi në pozicionin që dihet, do presim dhe presidencën franceze. Këtu çështja është tek Bullgaria që ka marrë peng Maqedoninë dhe që si rezultat, ka bërë që ne të jemi peng i një ngërçi të madh që ne nuk kemi lidhje fare’’,ka thënë ndër të tjerash kryeministri Rama.
Nga Brukseli ku ndodhet për vizitë zyrtare, Rama tha në intervistë se Bullgaria po mban peng negociatat për Maqedoninë e Veriut, e për rrjedhojë po penalizohet edhe Shqipëria që është në të njëjtin proces.
Ndryshe, kryeministri Rama ka marrë pjesë në darkën e organizuar ne Bruksel bashkë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me ftesën nga Josep Borell, Shefi i Diplomacisë Europiane dhe Zv. President i Komisionit Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, kishte organizuar një darkë me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel të mërkurën e 11 majit.
Në këtë darkë joformale është bseduar për të ardhmen e rajonit dhe sfidat kryesore me të cilat po përballet.