Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar vëllezërit Bytyqi në përvjetorin e tyre.
“Sot kujtojmë vëllezërit Agron, Yll e Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë të cilët iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për idealet, lirinë e popullit dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj është shprehur se vëllëzerit Bytyqi kanë luftuar “trimërisht”, “por u vranë mizorisht nga shteti serb pikërisht pas lufte”.
“Ekzekutimi i tyre ashtu si edhe i shumë shqiptarëve të tjerë, dhe mos kërkim falja nga shteti serb, autor i mijëra krimeve në Kosovë, tregon për një mendësi të pandryshuar të shtetit gjenocidal, që fajëson viktimat e le të lirë kriminelët. Drejtësia duhet vendosur, sepse të vrarët nuk harrohen!”, ka shkruar ai.
Ndryshe, më 15 korrik të vitit të kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës i kërkon drejtpërdrejt Serbisë drejtësi për rastin e vrasjeve të tre vëllezërve Bytyqi, Ylli, Agron dhe Mehmet.
Në dokument theksohet se edhe pse autoritetet serbe e hetuan rastin, ato asnjëherë nuk i akuzuan individët që ishin pjesë e zinxhirit komandues.
Për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, Prokuroria e Serbisë në vitin 2006 e kishte ngritur një aktakuzë kundër dy zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq.
Megjithatë, ata ishin liruar më pas nga Gjykata e Apelit.