Tahir Batatina, trajner i klubit futbollistik “Llapi”, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka treguar se është takuar me futbollistin Mirlind Dakun, para se ky i fundit të niset për në Rusi.
Batatina shprehet se është emocionuar kur u përshëndet më Dakun, pasi ka kujtuar ditët kur Mirlind Daku u transferua tek KF Llapi, dhe mbështetjen që i ka dhënë si trajner i ekipit.
“Lindi na bëri krenar së pari mua, pastaj klubin, familjen dhe gjithë Kosovën sepse kur të tjerët nuk i besuan unë ja dhash besimin që sot është një yll i futbollit dhe nga sot fillon misioni i ri për Mirlind Dakun ku do na bëj krenar edhe në skuadrën e re dhe pres që shpejt prap të bëj hapin tjetër tek një skuadër edhe më e madhe evropiane” ka shkruar Batatina.
Mirlind Daku ka nënshkruar kontratë trivjeçare me skuadrën ruse “Rubin Kazan”. Kurse së fundi ishte pjesë e ekipit të Osijek, dhe ishte i huazuar tek ekipi slloven “Mura” ku kishte shënuar 19 gola.