Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak, ka thënë se janë të shqetësuar për situatën në veri të Kosovës.
Kështu, duke theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kanë përgjegjësi për t’i ulur tensionet dhe parandaluar dhunën.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës dhe i dënojmë shumë sulmet e paprovokuara nga protestuesit ndaj personelit të KFOR-it. Sekretari i Jashtëm i ka thënë tashmë kryeministrit të Kosovës dhe Serbisë se liderët në Beograd dhe Prishtinë kanë përgjegjësi për ta ulur tensionet dhe për ta parandaluar dhunën e mëtejshme. Qëndrimi jonë është se ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE”, ka thënë Sunak.
Kjo deklaratë e Sunak erdhi pasi u pyet nga deputetja britanike, Alicia Kearns, se a do të ketë angazhim nga ai për zgjerim të mandatit të KFOR-it, në mënyrë që të merret edhe me kontrabandimin e armëve që po futen nga Serbia në Kosovë.
“Ka pasur një dështim ndërkombëtar të parandalimit kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se kjo ilustrohet më së miri nga reagimi i BE-së dhe SHBA-së dhe ndëshkimet e fundit të Kosovës përballë antagonizmit serb dhe retorikës secesioniste të Dodikut në Bosnje dhe Hercegovinë. Si kryeministër, a do të angazhoheni tani që ne do t’i bashkohemi EUFOR-it, ku do të shtoja se si Turqia ashtu edhe Kili janë anëtarë, dhe a do të konsideroni gjithashtu lobimin për një zgjerim të mandatit të KFOR-it në Kosovë, në mënyrë që ata të përballen me çështjet ilegale, pra armët që dërgohen nga Serbia në Kosovë, të cilat po financohen ilegalisht nga Beogradi dhe po armatosen milicit në Kosovë”, e ka pyetur Keane kryeministrin britanik, nga i cili nuk ka marrë përgjigjeje konkrete rreth kësaj çështjeje.
Ndërkaq, Keane në llogarinë e saj në Twiter ka shkruar se “mbrojtja nuk është përshkallëzim”.
“Mbretëria e Bashkuar duhet t’i bashkohet sërish EUFOR-it dhe të zgjasë mandatin e KFOR-it në Kosovë. Jemi në epokën e Diplomacisë Parandaluese, koha për të mbrojtur stabilitetin është tani. Mbrojtja nuk është një përshkallëzim”, ka shkruar ajo.