Tre persona nga Tirana janë mbytur në det këtë të diel në Kavajë. Këta persona ishin pjesëtarë të një familjeje, babai rreth 55 vjeç dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç.
Këtë e ka bërë të ditur Policia e Shtetit, të cilët kanë njoftuar se në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
- Shënim: Më herët nga Policia e Shtetit është raportuar se viktimat janë shtetas kosovarë, e më pas në një njoftim të përditësuar thuhet se janë nga Tirana.
“Janë nga Tirana. Është raportuar fillimisht se ishin prej Kosovës por kur gjetëm dokumentet dhe i verifikuam, janë nga Tirana”, ka sqaruar Gent Mullai, zëdhënës i Policisë së Shqipërisë për Dukagjinin.
“Më datë 09.07.2023, në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas kosovarë, pjesëtarë të së njëjtës familje (babai rreth 55 vjeç dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç). Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e parë të policisë shqiptare.
“Më datë 09.07.2023, në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas, pjesëtarë të së njëjtës familje (shtetasi E.H 50 vjeç, dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç, nga Tirana). Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim e përditësuar të policisë.
Ndërkaq, siç raporton “Euronews Albania”, ambulanca është vonuar mbi dy ore dhe në vendin e ngjarjes nuk kishte as roje bregdetare.
“Gazetarja e Euronews Albania, Kloida Gjuzi, e cila ka shkuar menjëherë në vendngjarje tha në një lidhje direkte se qytetarët e pranishëm kanë thënë se ambulanca ka ardhur një orë e gjysmë me vonesë. Gjithashtu ajo ka shtuar se në vendin ku ndodhi tragjedia nuk kishte as roje bregdetare”.