Presidenti Biden shkon të dielën në Britaninë e Madhe. Udhëheqësi amerikan do të takohet me mbretin Charles dhe kryeministrin Rishi Sunak. Lufta në Ukrainë do të jetë tema kryesore e bisedimeve në Londër ndërsa udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në Lituani.
Presidenti Biden do të pritet të hënën nga kryeministri Sunak dhe më pas nga mbreti Charles në Kështjellën Windsor.
Londra ka shtuar masat e sigurisë ndërsa presidenti Joe Biden udhëton të dielën drejt Mbretërisë së Bashkuar. Udhëheqësi amerikan do të takohet me kryeministrin Rishi Sunak dhe mbretin Charles për herë të parë që kur u kurorëzua.
Udhëheqësi amerikan dhe kryeministri Sunak do të zhvillojnë bisedime për një gamë të gjerë çështjesh. Lufta në Ukrainë do të jetë tema kryesore e bisedimeve të të dy udhëheqësve përpara se të marrin pjesë në takimin e NATO-s në Vilnius, ku do të flitet lidhur me aspiratat e Kievit për t’u anëtarësuar në aleancë.
Në vitin 2008 udhëheqësit e NATO-s thanë se Ukraina e ka vendin në aleancë, por nuk kanë përcaktuar një udhërrëfyes, pavarësisht thirrjeve të forta për anëtarësim nga presidenti Volodymyr Zelenskyy.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe janë ndër mbështetësit më të fortë perëndimorë të Kievit. Disa analistët thonë se Londra ka ndikuar tek Uashingtoni lidhur me mbështetjen ushtarake për Kievin, përfshirë dërgimin e tankeve dhe përpjekjet për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të modelit F-16.
Britania e Madhe nuk arriti të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit për të zgjedhur sekretarin e Mbrojtjes Ben Wallace në krye të NATO-s, ndërsa u zgjat me një vit mandati i sekretarit të përgjithshëm Jens Stoltenberg.
Marrëdhëniet transatlantike janë tendosur vitet e fundit si rezultat i largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, një akt që Biden thotë se e ka dëmtuar Britaninë.
Për kryeministrin Sunak, vizita e presidentit Biden ofron një lehtësim të shkurtër nga problemet me të cilat përballet vendi i tij, si rezultat i një ekonomie të dobët dhe polemikave brenda partisë së tij. Si Biden, ashtu edhe udhëheqësi britanik përballen me zgjedhje vitin që vjen./VOA