Ministri i Brendshëm i Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se nuk është kundër popullit serb, por kundër projekteve shoviniste të Serbisë dhe kriminelëve.
Në një intervistë për mediumin në gjuhën serbe KoSSev, ministri Sveçla nuk është pajtuar me aludimet se nga e gjithë administra shtetërore, ai është “zyrtari më i urryer kosovar në veri”.
“Kriminelët nuk kanë kombësi, sepse janë të përzier. Janë ata që duan të portretizojnë aktivitetet e tyre me ngjyra nacionaliste… Ne kemi nevojë për vëmendjen ndaj qytetarëve të thjeshtë, vëmendje për jetë normale, për të mbështetur kategori të tilla dhe për të luftuar kundër këtyre kategorive të tjera”, ka thënë Sveçla.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se vazhdimisht është në kontakt me qytetarë serbë, OJQ-të dhe zyrtarë të niveleve të ndryshme, por se këto takime nuk janë publike.
Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për depërshkallëzimin e gjendjes në terren.