Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se edhe për vitin e ardhshëm 2023/24, tekstet shkollore për klasat e para deri në të pestën do të shpërndahen falas, kurse nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën do t’i përdorin tekstet e viteve paraprake.
“Për vitin shkollor 2023-2024, nxënësit e klasave (I-V) do të pajisen me tekste të reja shkollore, ndërsa nxënësit e klasave (VI-IX) do t’i përdorin tekstet e vitit paraprak, siç e përcakton edhe UA 213/2016. MASHTI ka filluar me procesin e grumbullimit dhe përgatitjes së të dhënave për numrin e nxënësve, të cilët duhet të furnizohen me tekste të reja shkollore për vitin shkollor 2023-2024, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Arsimit për Radio Kosovën.
Tekstet shkollore për të gjithë nxënësit e Shkollës fillore të mesme të ulët sipas njohësve të arsimit duhet të sigurohen nga shteti. Xhavit Rexhaj, i tha Radio Kosovës se edukimi fillor është obligim i shtetit për arsye se disa prindër e kanë vështirë t’i sigurojnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
“Shteti duhet të shpërndajë tekste shkollore, sepse edukimi i obliguar deri në klasën e nëntë është obligim i shtetit. Duhet t’i shpërndajë sepse disa prindër e kanë të vështirë t’i sigurojnë kushtet për mësim e sidomos kur rriten edhe çmimet e të tjera”, tha ai.
Ndërkaq, për sa i përket teksteve të vjetra ku drejtuesit e shkollave kanë kërkuar nga nxënësit që t’i kthejnë të gjitha tekstet nga klasa e parë deri në të nëntën, Rexhaj tha se disa prej tyre nuk mund të përdoren, për arsye se fëmijët gjatë procesit mësimore e kanë për detyrë t’i plotësojnë.
“Disa tekste mund të përdoren prapë, por disa të tjera nuk mund të përdoren p.sh: fletoret e punës dhe pjesa e librit që ka ushtrime është e pakuptimtë të kërkohet të përdoren prapë. Edhe këtu mendoj që është problem çështja e kulturës, çështja e keqpërdorimit të pronës publike. Konsideroj që këtu edhe shkollat nuk janë serioze sa duhet dhe nuk punojnë sa duhet në edukimin e fëmijëve për ruajtjen e gjerave publike”, tha Rexhaj.
Po ashtu, Këshilli i Prindërve dhe vetë nxënësit thonë se tekstet e shfrytëzuara nga gjeneratat paraprake nuk mund t’u hyjnë shumë në funksion, pasi ato ose janë dëmtuar ose janë të papërdorshme, sidomos kur bëhet fjalë për fletoret e punës.