Tashmë është arrestuar Pëllumb Nika, 34-vjeçari që ishte administrator i plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi një tragjedi mesditën e së dielës, ku babai bashkë me dy djemtë e tij të mitur u mbytën në det.
Autoritetet e kanë arrestuar 34-vjeçarin nën dyshimin se nuk mori masat e duhura për sigurinë e plazhistëve, nuk furnizoi shërbimin me vrojtues në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk siguroi sinjalizim dhe kufizime të duhura për hapësirën ujore të plazhit që ai kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë.
“Në vijim të veprimeve hetimore për ngjarjen e ndodhur mesditën e datës 09.07.2023, në plazhin e Vilë-Bashtovës, ku humbën jetën nga mbytja në det, 3 shtetas (babai dhe dy djemtë e tij të mitur), strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin P. N., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i operatorit turistik që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, pjesën e plazhit të Vilë-Bashtovës, ku ndodhi kjo ngjarje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Arrestimi i 34-vjeçarit u bë pasi nga veprimet hetimore të kryera në terren ka rezultuar se ky shtetas, në cilësinë e administratorit të parcelës së plazhit, të marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë, nuk kishte plotësuar kushtet e sigurisë sipas kontratës së lidhur mes operatorit ekonomik dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (kontratë e miratuar nga Ministria e Turizmit), dhe për pasojë janë mbytur në det, shtetasit E. H., 50 vjeç, R. H., 17 vjeç dhe M. H., 13 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet tutje në njoftim.
Siç kishte njoftuar Policia, më datë 9 korrik në plazhin Vilë-Boshtovë, duke notuar në det janë mbytur tre shtetas të Shqipërisë, pjesëtarë të së njëjtës familje (babai rreth 55 vjeç dhe dy djemtë e tij të mitur rreth 13 dhe 15 vjeç).
Shërbimet e Njësisë Policore Detare kanë ndërhyrë për t’i shpëtuar, por të tre shtetasit kishin ndërruar jetë si pasojë e rrymave detare.
Ndërkaq, siç kishte raportuar “Euronews Albania”, ambulanca ishte vonuar mbi dy ore dhe në vendin e ngjarjes nuk kishte as roje bregdetare.