Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin që i vazhdon edhe për dy vjet njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.
Këtë projektligj e arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, derisa tha se afati për aplikim do të jetë deri më 15 maj 2025.
“Propozimi është që aplikimi për njohjen e statusit për të gjithë personat që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të vazhdohet edhe për dy vjet, më konkretisht deri më 15 maj 2025”, tha ai.
Por, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se nuk duhet të ketë afat kohor për njohjen e statusit të viktimave seksuale gjatë luftës.
“Afati nuk duhet të jetë i zgjatur vetëm për dy vjet, duhet të jetë afat i lirë. Pavarësisht se kur viktima në çfarëdo rrethane ndihet i lirë për të adresuar çështjen e vet që e trajton atë si viktimë civile, procesi duhet të jetë i hapur dhe nuk duhet të ketë kufizime kohore”, theksoi ajo.
Të njëjtën e mbështeti edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.
“Nuk duhet me pas kufizime kohore, pasi nuk është kufizuar në Bosnje, Kroaci dhe asnjë vend. Po ashtu, puna e komisionit brenda është shumë katastrofale, kemi viktima që nuk janë të kënaqur me anëtarët e këtij komisioni. Unë publikisht po kërkoj që të ndryshohet ky komision pasi shumë gra kanë hezitime me u paraqitë”, tha ajo.
Krahas kësaj, Kuvendi vendosi që i njëjti projektligj të shqyrtohet me procedura të përshpejtuara, në mënyrë që të miratohet në lexim të dytë gjatë seancës së sotme. /KP/