Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios, të cilit i uroi mirëseardhje dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet, të cilat do të zbatohen në Kosovë nga UNDP-ja.
Gjatë takimit, presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, veçanërisht ato për gratë, rininë, mjedisin dhe personat me nevoja të veçanta.
Siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani ka kërkuar mbështetje për projektet që janë në prioritetet e mandatit të saj, duke përfshirë fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta dhe agjendën e gjelbër.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i UNDP-së është shprehur i hapur për të bashkëpunuar në këto prioritete, duke marrë parasysh projektet e ngjashme që po zhvillohen në rajon.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga presidentja Osmani.
Po ashtu, ajo ka falënderuar UNDP-në për partneritetin dhe bashkëpunimin e deritanishëm.