Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten në Vilnius, është pritur nga kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Šimonytė.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për situatën e sigurisë në Evropë pas fillimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
Ndër të tjera, e para e vendit ka shtuar se është diskutuar për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative si dhe në fusha të tjera.
Sipas Osmanit, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyqe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në Bashkim Evropian(BE) dhe në Aleancë Veri Atlantike(NATO).
Në këtë takim është dakorduar në mes tyre për bashkëpunim të ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
“Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka shkruar Osmani.
Gjatë kësaj vizite, Osmani do të takojë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë, me të cilët do të diskutojë për forcimin e partneritetit ndërshtetëror dhe përgjigjen e përbashkët kundrejt situatës politike dhe të sigurisë në Evropë.
Ndërsa, paraditen e 11 majit, Osmani është pritur edhe nga presidenti lituanez, Gitanas Nausėda.
“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë”, kishte thënë Osmani.
Sipas Osmanit, kjo vizitë do të hapë kapituj të ri të bashkëpunimit për të dy vendet, si partnere të afërta dhe aleate të pandashme.