Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar lidhur me audio-incizimin që është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Maskat ranë. Me to dhe perdja e populizmit. Përgjimet e publikuara sot në mediet kosovare, shpërfaqin sheshazi hipokrizinë e thellë të pushtetit populist. Kjo hipokrizi, tashmë standard veprues i partisë në pushtet, që në njërën anë kontakton, koordinon e bashkëvepron me njerëz të lidhur me krimin, e në anën tjetër akuzon të tjerët për një gjë të tillë, shpërfaq gjendjen alarmante të politikëbërjes në vend”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Në këtë reagim thuhet se LDK-ja shpreh shqetësimin më të thellë “për gjendjen e rëndë të politikëbërjes në Kosovë”.
“Sepse, koordinimi i aktiviteteve politike në vend, sikurse dhe komunikimi me një person me urdhërarrest e në listë të zezë të SHBA-ve, cënon rëndë sigurinë e Republikës së Kosovës. LDK-ja do të përcjellë në vijim zhvillimet mbi këtë temë”, thuhet tutje në këtë reagim.