Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka mirëpritur angazhimin e Turqisë për të mbështetur pranim e Suedisë në NATO.
Ai ka thënë se kjo do do të kontribuojë për sigurinë evropiane
“Suedia duke u bërë Aleati ynë i 32-të i NATO-s do ta forcojë Aleancën e NATO-s dhe do të kontribuojë për sigurinë evropiane”, ka shkruar Bliken në Twitter.
Më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është pajtuar që të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO.
Kështu tha më 10 korrik shefi i aleancës ushtarake perëndimore, Jens Stoltenberg, që tha se Erdogan do të dërgojë aplikimin e Stokholmit për anëtarësim në NATO te Parlamenti turk për ratifikim.
Kjo sipas Stoltenbergut u arrit pas bisedimeve që zhvilloi në Vilnius të Lituanisë me Erdoganin dhe kryeministrin suedez, Ulf Kristersson.
“Kjo është ditë historike”, tha Stoltenberg gjatë një adresimi për media.
Në një deklaratë të ndarë u njoftua se Suedia dhe Turqia kanë arritur marrëveshje.
Turqia ka bllokuar aplikimin e Suedisë në aleancë, duke e akuzuar Stokholmin se strehon aktivistët kurdë që Ankaraja i konsideron terroristë.
Më herët gjatë të hënës, Erdogan kushtëzoi pranimin e Suedisë në këmbim të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian.
Por, në deklaratën e lëshuar pas takimit trepalësh u tha se Turqia dhe Suedia do të punojnë ngushtë “në koordinimin e kundërterrorizmit” dhe do të fuqizojnë raportet dypalëshe tregtare.