Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë, ka thënë se fatkeqësisht kjo masakër nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra të tjera në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka përkujtuar jetët e shuara në Srebrenicë.
“Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë, nga aparati shtetëror i Millosheviqit. Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit”, shkroi ai.
“Masakra e Srebrenicës, 28 vjet më parë, fatkeqësisht nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra të tjera në Kosovë, me përmasa të një gjenocidi të ri. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat”, shtoi më tej Haradinaj.
Në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian thekson përkushtimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas BE-së, pajtimi, paqja dhe drejtësia janë thelbësore për të ndërtuar një të ardhme të mirë për të gjithë popullin e Bosnjë-Hercegovinës.
Në reagimin e BE-së, pranohet dështimi dhe përgjegjësia për mbrojtjen e viktimave të cilët u masakruan nga forcat shtetërore serbe.
“Njëzet e tetë vjet më parë u shkrua një nga faqet më të errëta të historisë evropiane. Ne ndajmë pikëllimin dhe dhimbjen e familjeve dhe miqve të viktimave dhe të të mbijetuarve të gjenocidit në Srebrenicë”, thuhet në komunikatën e BE-së.
“Evropa kujton përgjegjësinë dhe dështimin e saj për të mbrojtur. Sot, ndërkohë që lufta shpërthen sërish në kontinentin evropian, ne zotohemi të bëjmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe për të mbrojtur jetën”, vijon reagimi.