Ilir Murturi i ka përfunduar studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Vjenës, respektivisht në Fakultetin e Informatikës.
Drejtimi i Informatikës rangohet në vendin e parë në Austri, kurse në të 73-tin në botë.
Po ashtu, Murturi për një kohë ka punuar si mësimdhënës në Universitetin Teknik të Vjenës, duke botuar revista shkencore “më me renome në fushën e shkencave kompjuterike” që sipas tij “askush nga stafi i FIEK-ut nuk i posedon”.
Por të gjitha këto, nuk kanë mjaftuar që ai të zgjidhet Profesor Asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP).
Në reagimin e tij, Murturi thotë se kundërkanditati i tij e ka kryer doktoratën në një universitet të rajonit, i cili sipas tij nuk rangohet nga asnjë institucion ndërkombëtar.
Po ashtu, ai pretendon se komisioni recensues i ka pranuar si kontribute shkencore për kundërkandiatin e tij edhe punimet e botuara nga një shtëpi botuese në Prishtinë.
“Dhe përkundër një portofoli të shkëlqyeshëm të punimeve shkencore, komisioni recensues propozon kandidatin tjetër me doktoratë nga një universitet i rajonit i cili nuk rangohet nga asnjë institucion ndërkombëtar si dhe me një numër konsiderueshëm më pak të punimeve. Ndërsa, pjesa më e tmerrshme e këtij vendimi është që komisioni recensues për kandidatin e përzgjedhur ka pranuar si kontribute “shkencore” punimet e botuara në “RICOH” (fotokopje/botues në Prishtinë), skripta me detyra, si dhe përkthime – pa bërë asnjë analizë në lidhje me cilësinë, impaktin e tyre në fushën e studimit përkatës apo përdorimin e tyre nga ndonjë institucion arsimor vendor apo ndërkombëtar! Pranimi i publikimeve të tilla është një shkelje e rëndë e të gjitha normave dhe etikës akademike. Thjeshtë, PA KOMENT!”, ka thënë ai.
Ai ka paralajmëruar se do ta vazhdojë karrierën e tij në Universitetin teknik të Vjenës, teksa ka paralajmëruar ankesë dhe ndjekje të rrugëve ligjore sa i përket këtij rasti.