Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bolton, ka thënë se kërcënimi i vërtetë për Ballkanin është nga qeveria në Moskë, pasi, sipas tij, mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të kontrollohen.
“Nga jashtë, duket sikur kemi humbur mundësi për të zgjidhur me diplomaci fërkimet e dukshme mes Serbisë dhe Kosovës. Shumë njerëz janë përpjekur për disa kohë në këtë drejtim. Nuk e di se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin e fundit. Jam i sigurt që arsyet janë komplekse, por mendoj se në perspektivën e Evropës si një e tërë dhe të Shteteve të Bashkuara, duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, nuk është momenti ku tensionet tjetërkund në kontinentin evropian, në Ballkan apo kudo gjetkë, duhen lejuar të shpërthejnë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo është mënyra e domosdoshme që SHBA-ja e BE-ja, por dhe shtetet e tjera të fokusohen te lufta në Ukrainë.
“Së paku, duhet të kemi parasysh që kërcënimi i vërtetë me të cilin përballemi të gjithë, është nga qeveria në Moskë, fërkimet dhe mosmarrëveshjet që kemi, që janë të shumta, duhet të vihen nën kontroll së afërmi që të gjithë të përqendrohemi në një fund të kënaqshëm të luftës në Ukrainë”, ka thënë në emisionin “Balkan Talks” në Euronews Albania, përcjell Dukagjini.com