Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka cilësuar si “të rëndësishme” kryerjen e një hetimi ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Aleksandar Vulin.
Ky i fundit tashmë ka hyrë në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), të martën. Për këtë, Vuçiq ka deklaruar se sanksionet ndaj Vulinit u vendosën si shkak i raportit të tij me Federatën Ruse.
“Unë nuk e vura re që kokaina u gjet në zyrën e Vulinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të kryhet një hetim”, tha Vuçiq, transmeton N1. “Sanksionet kundër Vulin nuk u vendosën kundër krimit, por për shkak të marrëdhënies së tij me Federatën Ruse. Por për pozicionin e tij do të flas në detaje nesër”.
Nga ana tjetër, Vuçiq nuk u përgjigj kur u pyet nëse Vulin duhet të shkarkohet. Megjithatë, shkarkimi i tij është kërkuar nga opozita në Serbi.
Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandër Vulin, është bërë pjesë e listës së personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ka njoftuar Departamenti Amerikan i Thesarit.
Në faqen zyrtare të tyre, thuhet se Vulin kishte shfrytëzuar pozicionin e tij për të lehtësuar aktivitetet politike dhe interesat personale, dhe për rrjedhojë kishte lehtësuar aktivitetet ruse në Serbi dhe rajon, duke cenuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Siç thuhet në njoftim, Vulin ishte përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës gjersa përmendet edhe qëndrimi i tij prorus.
Vulin është drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë dhe më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Brendshëm.