Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, derisa ka folur për legalizimin e objekteve pa leje, ka thënë se shpreson që në seancën e ardhshme të miratohet ky ligj.
“Trajtimi i ndërtimeve pa leje ka qenë dje në rend të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe nuk ka kaluar, është bërë një dëm i madh, nuk është votuar nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duhet të kujtoj se ky është një dëm i madh”, ka deklaruar Aliu.
Sipas tij, ka shumë qytetarë që presin të miratohet ky ligj, që të shtyhet afati i legalizimeve të ndërtimeve pa leje.
“Uroj që në seancat e radhës ky ligj të kalojë, se përndryshe dëmi është shumë i madh. Nga 350 mijë ndërtime pa leje që i kemi, vetëm 15 mijë objekte janë legalizuar, që i bie që nuk është një ligj aq liberal por i bie që kemi kritere mjaft të forta”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se 15 mijë objekte të legalizuara kanë rritur vlerën e pronave në një miliard euro.