Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova është më se e vetëdijshme për rolin destruktiv të Serbisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
E ftuar në Debat Plus, ministrja Haxhiu, ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk kanë qenë aspak befasuese sepse tashmë, ajo pretendon që Kosova është familjarizuar me një veprim të tillë nga ana e Serbisë.
“Jemi të vetëdijshëm për rolin destruktiv të Serbisë”, ka thënë Haxhiu, gjersa ka shtuar se pavarësisht veprimeve të pritshme të Serbisë, Kosova duhet të fuqizojë pozitën e saj ngase nuk është parë asnjëherë më serioze sesa tani.
Sipas Haxhiut, periudha e marrëveshjes e cila pretendohet të jetë shkelur nga Kosova, tashmë ka skaduar duke qenë se ishte marrëveshje një vjeçare e që datonte që nga koha e ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit.
Vuçiq për mediat serbe kishte thënë se me këtë iniciativë të marrë së fundi, Kosova ka shkelur marrëveshjen e Washingtonit, edhe pse siç dihet se pika që i referohet kryeministri serb ka skaduar vitin e kaluar.
Ndikues tjetër drejt synimit të Kosovës, sipas Haxhiut, është edhe Rusia.
“Rusia ka humbur rolin e saj”, ka thënë ajo, gjersa ka theksuar se fuqizimi i dikurshëm i saj si një ndër vendet anëtare, do të kishte ndikim në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Megjithëse Kosova ka shtete mbështetëse dhe në të njëjtën kohë, edhe shtete të cilat nuk e njohin, Kosovës i duhet dy të tretat e votave për të qenë një ndër vendet anëtare.
Haxhiu ka folur edhe për atë që analistët e Debat Plus e quajnë “mosbalancim” i mardhënieve ndërkombëtare si shkak i vizitave të Kurtit në ShBA.
“Vizita e Kurtit do të jetë e gjatë”, ka thënë ajo, gjersa ka theksuar se për prioritet, Kosova do të ketë lobimin e raporteve me shtetet mbështetëse.
Me formimin e Qeverisë Kurti në shkurt të vitit 2020, Albulena Haxhiu ishte emëruar si Ministre në Ministrinë e Drejtësisë të cilën e ka udhëhequr deri në qershor të po atij viti.