Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Mefail Bajqinovci, ka publikuar të mërkurën një dokument të brendshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, i cili ka të bëjë me gazetarin Berat Buzhala.
Sipas deputetit, Buzhala akuzohet për shmangie tatimi në shumën prej 71 mijë euro.
Për këtë çështje, Buzhala ka publikuar një vendim të Gjykatës Komerciale të Kosovës që shton shtyrjen e ekzekutimit të vendimit deri në vendosjen e një kontesti tregtar-administrativ me vendim përfundimtar të Gjykatës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar dhe ka shprehur shqetësimin e tyre për faktin që një dokument i brendshëm i Administratës Tatimore të Kosovës është publikuar nga një deputet në Kuvendin e Kosovës.
AGK-ja e konsideron këtë veprim si presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrje politike ndaj Berat Buzhalës dhe portalit “Nacionale”.
Ata thonë se është e shqetësuese që një institucion qeveritar të përdoret për të ndërmarrë hapa të tilla.
“AGK-ja e sheh shumë shqetësues faktin që një dokument i tillë i ATK-së, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës, është në posedim dhe publikohet nga një deputet i Kuvendit të Kosovës. AGK-ja e sheh këtë si presion direkt me qëllim frikësimi dhe hakmarrjeje të partisë në pushtet ndaj z. Buzhala dhe Nacionales, pas publikimit të serisë së audio-incizimeve “, thuhet në postimin e AGK-së në Facebook.
Në audio-incizimet e publikuara nga portali “Nacionale”, Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, diskuton me ish-deputetin e Listës Srpska, Slavko Simiq.